Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të tërheqë trupat e saj nga vendi. Këtë deklaratë diplomati gjerman e bëri gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Le të mos harrojmë se Rusia është përgjegjëse për këtë luftë. Dhe është presidenti i Rusisë ai që mund ta përfundojë atë në çdo kohë me një urdhër të vetëm,” tha Scholz në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në qytetin e Nju Jorkut .
Scholz nënvizoi nevojën për një zgjidhje të vërtetë paqeje që do të garantonte sigurinë dhe lirinë e Ukrainës.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për zgjidhjet e rreme që përfaqësojnë paqen vetëm në emër. Paqja pa liri quhet shtypje. Paqja pa drejtësi quhet diktat. Kjo duhet të kuptohet më në fund edhe në Moskë”, theksoi kancelari gjerman.
Mes të tjerash ai tha se parimet e OKB-së për paprekshmërinë e kufijve dhe barazinë sovrane të të gjitha shteteve, duhet të respektohen nga të gjithë për të siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Në botën multipolare të shekullit të 21-të, nuk ka vend për revizionizëm dhe imperializëm,” shtoi ai.