Më 7 korrik opozita e re, Partia Demokratike e Rithemeluar dhe me kryetar Sali Berishën, do të mbajë protestën e parë në Tiranë, shkruan newsbomb.al. Këtë e ka zbuluar vetë sot ish-kryeministri, në një tryezë me aktorë të shoqërisë civile.
“Data 7 korrik është menduar nga PD të jetë data e protestës së madhe në Tiranë. Të bëjmë gjithçka për të nisur betejën tonë, kjo është betejë jashtëzakonisht e rëndësishme. Të bëjmë një punë intensive për suksesin e protestës tonë me 7 korrik dhe të angazhohemi që protesta të tjera do të vazhdojnë. Me këtë sistem nuk pajtohemi”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, në Shqipëri është vendosur një pushtet monist ndaj shqiptarët duhet të ngrihen në protestë të fuqishme për të mos pranuan nënshtrimin.
“Ky është sistem monist. Ky nuk është më pushtet kushtetues, ky është pushtet i dalë nga patronazhistët. Të ngrihemi në këtë protestë të fuqishme. Nuk mund të nënshtrohemi ne. Nuk mundet kush ta shndërrojë Tiranën në Beogradin e vogël, Tirana është kryeqyteti i kombit.”
Një front kundër kësaj qeverie dhe këtij regjimi është jetik, tha Berisha. “Do e quajmë Fronti për shpëtimin e Shqipërisë apo do ta përgëzojmë me një emër tjetër, këtë do ta shohim. Por ne do të funksionojmë vetëm si një front”, vijoi ai, duke paralajmëruar se do zgjerohet dhe me partitë e tjera opozitare.
“Ta zgjerojmë këtë front. Do bëj takim dhe me partitë e tjera opozitare. Do bëjmë takime bashkë me ta. Qytetarët duhet ta dinë se ne jemi të vendosur të mbrojmë interesat e tyre dhe vendit tonë. Vetëm një shoqëri atdhetare, vetëm një shtet minimalisht patriotik mund ta zhvillojë vendin, ndryshe vendi shkatërrohet.”