Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin javor për punën në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore.
Sipas njoftimit të policisë bëhet me dije se gjatë javës që lamë pas janë goditur dy raste të tentativës për të korruptuar efektivët, si dhe janë arrestuar 4 persona pasi po drejtonin automjetet nën efektin e drogave.
Gjithashtu, 24 shtetas të tjerë janë arrestuar pasi drejtonin automjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 6 automjet janë bllokuar për shkak të mungesës së dokumentacioneve apo targave të huaja.
Njoftimi i plotë:
Policia Rrugore e Tiranës
Kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në kryeqytet.
- Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera.
- 4 shtetas janë arrestuar pasi janë kapur duke drejtuar automjetet, nën efektin e drogave.
- 24 shtetas janë arrestuar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
- 253 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
- Janë bllokuar 6 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.