
Presidenti Ilir Meta reagon pas raportit të OKB-së, për rritjen e numrit të azilantëve nga Shqipëria, për vitin 2020. Sipas Metës, duhen përpjekjet e të gjithë aktorëve për t’i thënë ndal shpopullimit.
Kreu i shtetit bën thirrje për programe konkrete dhe realiste, që të krijojnë mundësitë që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre.
Shënimi i Ilir Metës:
Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.
Një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.
Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.
Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve.
Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve.