Monedha evropiane vazhdon të bjerë dhe sot ka prekur një tjetër nivel historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, sot më 2 Qershor, monedha Euro këmbehet me 108.73 lekë.
Monedha evropiane ka humbur rreth 1.2% në raport me lekun vetëm kësaj jave. Me bazë vjetore, rënia e kursit të euros ndaj lekut ka arritur tashmë në 9.3%.
Një monedhë kombëtare më e fortë i bën më të lira importet dhe në teori përbën një barrierë ndaj inflacionit të importuar. Megjithatë, një tendencë e tillë për konsumatorët shqiptarë nuk është ende shumë e prekshme, edhe për shkak të presioneve inflacioniste në rritje nga faktorët e tjerë dhe sidomos nga tregu i punës.
Rënia e euros megjithatë ka një ndikim direkt në uljen e kostos së kredive në euro për atë shumicë të huamarrësve shqiptarë që i ka të ardhurat e veta në lekë.
Nga ana tjetër , rënia e shpejtë e euros po bëhet një problem gjithnjë e më i madh për bizneset eksportuese, me një efekt direkt negativ mbi bazën e tyre të të ardhurave dhe mbi marzhet e fitimit.
