Ai është “arkitekti” i akromakthit të medias shqiptare dhe siç newsbomb.al ka mësuar, emigranti me pasaportë gjermane Aldor Nini, është pajisur me leje qëndrimi dhe punësimi nga Policia shqiptare, konkretisht zyra e emigracionit, leje që i skadon në vjeshtën e këtij viti.
Por në Shqipëri, ndryshe nga plotësimi i formularit prej tij në profesion Arkitekt, të gjithë e dinë se ai nuk e ushtron këtë detyrë. Është pronar i Acromax shpk, sipas të dhënave që dalin lehtësisht nga Qendra e Regjistrimit të Bizneseve.
Që në aplikimin e tij, ka gënjyer autoritetet shqiptare, ndërkohë që për të zhvilluar aktivitetin tregtar dhe të biznesit në Shqipëri, një shtetas me pasaportë të huaj, duhet të plotësojë disa dokumente.
Newsbomb.al, e vënë nën sulm nga Acromax për mbylljen e platformave të saj në rrjetet sociale Facebook/Meta, Instagram dhe Tik Tok, ka nisur një seri investigimi për të zbuluar autorin e vërtetë të këtij sulmi dhe atyre që fshihen pas tij.
Pas ndërgjegjësimit me një letër publike të hapur të redaksisë Newsbomb.al, që funksionon në Shqipëri prej 8 vitesh, për mediat, komunitetin ndërkombëtar, institucionet e shtetit shqiptar dhe shtetit gjerman ku firma Acromax ka kompaninë mëmë, ku shprehëm shqetësimin tonë për mbylljen e platformave, u jemi drejtuar me letra të posaçme dhe kërkesë për informacion, drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve në Shqipëri; zyrës së Taksave në Republikën Federale të Gjermanisë në Hamburg, si dhe më së fundi, policisë shqiptare.
Më poshtë do të gjeni disa prej kërkesave që kemi renditur në letrën drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit dhe për dijeni ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi. Pas këtyre kërkesave për informacion, do të kemi një raportim të plotë për aktivitetin e këtij personi dhe firmave që ai ka në administrim dhe pronësi për aktivitetin që zhvillon në Shqipëri, duke vjedhur ndërkohë sipas dyshimeve tona edhe taksapaguesit gjermanë.
“Acromax Media” Gmbh, është një kompani gjermane me adresë në Neuer Wall 63 20354 Hamburg (Deutschland), ku drejtor ekzekutiv sipas faqes zyrtare të saj, shfaqet emri Aldor Nini. I njëjti shtetas, zhvillon aktivitet tregtar në Shqipëri, ku rezulton së fundi si ortak i vetëm i subjektit tregtar “ACROMAX” sh.p.k, me NUIS M22128032O.
Sipas të dhënave të publikuara në Regjistrin Tregtar (QKB), për këtë subjekt tregtar, rezulton se, Aldor Nini, është shtetas Gjerman, i datëlindjes 29.8.1983, Tiranë.
Më poshtë pyetjet për autoritetet shqiptare, për shtetasin Aldor Nini:
- Llojin e lejes së qëndrimit që ka shtetasi gjerman Aldor Nini;
- Afatin e kësaj leje qendrimi;
- Sa herë ka aplikuar dhe sa herë i është ripërtëritur leja e qëndrimit;
- Kur ka aplikuar për leje qëndrimi, në formularin përkatës ka deklaruar se është i punësuar, i vetëpunësuar, apo investitor?
- A ka kryer struktura juaj verifikime mbi aktivitetin financiar në këto vite të këtij shtetasi, para dhënies dhe ripërtëritjes së lejes së qëndrimit?
- Para ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, a ka kryer struktura juaj verifikime pranë “punëdhënësit” të deklaruar prej tij, si dhe pranë strukturave përkatëse të inteligjencës financiare, verifikime mbi ligjshmërinë e të ardhurave të tij?
- Para ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, a keni kryer verifikime nëse ky shtetas ka rekorde kriminale, apo raste kur është konfliktuar me shtetas të ndryshëm shqiptarë? Nëse po, si vlerësohen këto rekorde, veçanërisht nëse janë të përsëritura, për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit në Shqipëri? Apo ripërtëritja e lejes së qëndrimit është një hap thjesht formal burokratik, që nuk bën vlerësim të thelluar të çdo aplikanti?
Sqarimet për këto dy çështje të fundit, kërkohen për sa kohë ligji nr. 79/2021 “Për të huajt”, në nenin 33 të tij, përcakton detyrimin për bashkëpunim për procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit, ndërmjet ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ministrisë përgjegjëse për financat e ekonominë.
- Neni 34, pika 1, shkronjat “c)” dhe “dh)”, përcakton se, “lëshim i ose ripërtëritja e lejes së qëndrimit mund të refuzohet ose mund të anulohet nëse:[…]c) i huaji përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë publike, sigurinë kombëtare dhe është bërë subjekt i largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë; […] dh) kur leja është marrë duke përdorur dokumentacion të rremë ose në kushte mashtrimi”.
Lidhur me këto dy kritere ligjore, kush vlerësohet nga ana juaj se përbën “kërcënim për rendin, sigurinë publike, sigurinë kombëtare” dhe cilat raste klasifikohen si “kushte mashtrimi”? A përfshihen në ndonjë prej këtyre dy kategorive, zhvillimi i aktiviteti tregtar në Republikën e Shqipërisë, në shkelje të legjislacionit shqiptar, ose pa përmbushur detyrimet tatimore? Po nëse shtetasi i huaj shmang detyrimet tatimore, në shtetin prej ku ka shtetësinë?
Ne po e investigojmë rastin në Shqipëri, por edhe pranë shtetit gjerman, lidhur me “mëmën” e dy shoqërive të krijuara në Shqipëri “FABER DIGITAL” sh.p.k dhe “ACROMAX” sh.p.k, prej këtij shtetasi. Ne do ta ndjekim rastin me konsekuencë dhe do të vijojmë me veprime konkrete mbi investigimin mediatik të tij, duke informuar në çdo hap edhe publikun.
Kerkese Per Informacion Policise se Shtetit – Newsbomb.al by Newsbomb Albania on Scribd