Kryeministri Edi Rama ka falenderuar kancelarin gjerman Olaf Scholz për mbështetjen ndaj Procesit të Berlinit, në kuadër të të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot në Berlin tre marrëveshje bashkëpunimi.
Gjatë konferencës së përbashkët edhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk ndjehet më i lënë i vetëm, pasi BE njoftoi për një ndihmë 1 miliard dollarëshe.
Rama nuk harroi të falenderojë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, si iniciatorja e Procesit të Berlinit, një nismë e ngjashme me Ballkanin e Hapur, që tashmë duket se ka kaluar në hije.
“Kur nisi procesi i Berlinit, Angela Merkel pati të drejtë, do të doja të falenderoja kancelarin Scholz për mikpritjen, bukën, dhe së fundmi që i besoi Shqipërisë të mirëpresë samitin e Ballkanit Perëndimor. Ajo që u diskutua sot u shënua me kujdes në shënimet e kancelarit, do të shohë ecuri në samitin në Tiranë.
Ne e ndjejmë që nuk jemi të lënë të vetëm. Pak ditë më parë presidentja e KE, Ursula zhvilloi një tur në Ballkan, nuk solli vetëm fjalë të mira, por një mbështetje financiare. Shpresoj që të shohim ecuri në sferën dixhitale, energjia dhe ndërlidhshmëria. Por sot ne po përballemi edhe me aspektin e sigurisë kibernetike. Shohim mënyrën se si mund të kemi një prani më të madhe nga Gjermania dhe vendet e tjera europiane të zhvilluara. Nënshkruam tre marrëveshje që prisnim me padurim t’i kishim prej vitesh”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.