Situata në Zveçan është tensionuar përsëri, pas më shumë se 24 orësh në një gjendje qetësie. Mediat vendase që kanë shkuar në veri raportojnë se protestuesit serbë kanë sulmuar një patrullë të Policisë së Kosovës.
Gazetarja Elmina Osmani thotë se një koleg serb u ka propozuar gazetarëve shqiptarë të largohen nëpër rrugë alternative, sepse situata mund të përkeqësohet. Tani për tani, gazetarët e të gjitha mediave të Kosovës dhe Shqipërisë janë në Zveçan dhe janë duke u koordinuar se si të veprojnë.
Sipas mediave, protestuesit në Zveçan janë acaruar dhe kanë nisur edhe provokimet ndaj gazetarëve. Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, u ka thënë gazetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokime, teksa ka pranuar se jo të gjithë turmën e ka nën kontroll.
E ngjashme situata është edhe në Leposaviq. Protestuesit vazhdojnë të qëndrojë para objektit të kësaj komune. Ish-kryetari Zoran Todiq, i cili po qëndron bashkë me turmën, i pyetur nga gazetarët se a do të përfundojë protesta në orën 16:00, siç kishte përfunduar një ditë më parë, ka thënë se “për dallim nga komunat tjera, ne do të qëndrojmë pa orë të caktuar, sepse jemi të sigurt që Lulzim Hetemi ndodhet në objektin e komunës”.
Serbët në veri prej orëve të mëngjesit janë mobilizuar në tri komunat veriore për ta kundërshtuar ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj nga objektet komunale. Sot për të tretën ditë me radhë ato po vazhdojnë protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.