Presidenti Ilir Meta përshëndet protestën e sotme të avokatëve para Kuvendit, të cilët kërkojnë që Harta e re gjyqësore të mos miratohet. Sipas tyre, ajo largon qytetarët nga aksesi në drejtësi dhe shton kostot për ta.
Sipas Metës, ata presin një drejtësi sa më afër tyre, jo një riorganizim që i largon dhe e bën atë më të shtrenjtë dhe të vonuar.
“Mbështes plotësisht kërkesat e drejta të Avokatëve Shqiptarë dhe në mënyrë të përsëritur nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe aktorët e tjerë bashkëpunues dhe vendimmarës, të dëgjojnë zërin e tyre dhe këshillat e Parlamentit Europian.
Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie plotësisht të pavarur, funksional dhe efiçent! Qytetarët presin një drejtësi sa më afër tyre, dhe jo një riorganizim të përqendruar që e largon drejtësinë prej tyre duke e bërë jo vetëm më të shtrenjtë dhe të vonuar, por edhe më të pamundur”, shkruan presidenti Meta.