Prokurori Ramadan Troci i bërë i njohur në mediat se firmosi arrestimin e Guvernatorit Ardian Fullani, ka paralajmëruar disa arrestime për çështjen e ndeshjes Flamurtari-Teuta.
Ndeshja që bëri bujë për shkak të polemikave nga tifozët dhe akuzave pikërisht prej drejtuesve të skuadrës vendase që fituan ndeshjen, tani mund të ketë zhvillime të bujshme. 5 minutat e fundit të ndeshjes në Kategorinë Superiore, u verifikuan si një teatër i shëmtuar, pasi Teuta e Durrësit toleroi dukshëm, deri sa pësoi golin që humbi ndeshjen 2-1.
Prokurori Troci ka paralajmëruar në një intervistë për Panorama, se është kërkuar informacion nga 6 kompani bastes në vendin tonë, si dhe nga disa të tjera jashtë vendit.
“Po kërkojmë nga këto kompani që të na tregojnë se me sa, dhe ku është kuotuar ndeshja Flamurtari-Teuta. Kemi informuar dhe UEFA dhe do të pyesim drejtuesit e Flamurtarit dhe Teutës, dhe po qe e nevojshme dhe futbollistë. Nëse konkludojmë se ka patur trukime, atëherë do të ketë adhe arrestime” tha prokurori Troci.