Një prej prokurorëve që drejtoi hetimet mbi bandën e kokainës që zbuloi laboratorin në Xibrakë të Elbasanit, Eugen Beci zbuloi disa të dhëna për aksionin që pushtoi mediat ditët e fundit.
“Kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me partnerët e huaj pasi shumë grupe shqiptare kanë aktivitete dhe jashtë vendit. Me Gjermaninë kemi hequr barrierat burokratike dhe mes bashkëpunimeve është dhe ai për laboratorin e kokainës. Jemi njoftuar në datën 17 për këtë çështje së bashku me policinë për këtë trafik narkotikësh drejt Gjermanisë. Kemi kryer veprime mbi ligjin mes të cilave dhe përgjimet e këtyre personave” tha zyrtari i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Ky grup shkonte te ish rezervat e Shtetit shpesh dhe kështu lindën dyshime. Asgjë nuk dihej deri në momentin që ndodhi ndërhyrja se çfarë lloj veprimtarie e saktë bëhej në atë vend në Xibrakë” tha prokurori Eugen Beci, që u shfaq i rezervuar në dhënien e fakteve për shkak të sekretit hetimor.
“Një pjesë e personave nuk njiheshin si kontigjent kriminal, dhe që u zbuluan të tillë vetëm pas hetimeve 1 mujore. Operacioni u mbajt sekret si çdo operacion me përgjime. Droga kalon transit në vendin tonë dhe shpeshherë kalon nëpërmjet rrobave, vajit të palmave apo dhe shishjeve të verës”.
“Paratë e drogës investohen në banesa, toka bujqësore dhe shpenzime luksoze. Është e vështirë të përcaktosh investimet e parave të krimit, në një ekonomi kaq shumë informale” tha Beci.