Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik projektligjin për krijimin e Forcës Rezerviste të Forcave të Armatosura. Ky projektligj parashikon që shtetasit që kanë kryer shërbimin ushtarak, të jenë në gatishmëri për mbrojtjen e vendit deri në moshën 60 vjeçare.
Shërbimi ushtarak në rezervë do të shërbejë për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së Forcave të Armatosura, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetit të kërkuar, si dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në rastet e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë.
Gjithashtu, ky projektligj që kërkohet të miratohet do të shërbejë dhe për plotësimin e detyrimeve kombëtare në kuadër të NATO-s, operacioneve në përgjigje të krizave, operacionet e mbështetjes së paqes, sigurisë rajonale e globale, si dhe operacionet e emergjencave civile.
Shërbimi ushtarak rezervist kryhet nga shtetasit shqiptarë të moshës:
- a) deri 50 vjeç për ushtarë;
- b) deri 55 vjeç për nënoficerë;
- c) deri 60 vjeç për oficerë.
Numri i personelit që do të aktivizohet në shërbimin ushtarak në rezervë përcaktohet në dokumentet strategjike të miratuara me ligj dhe do të jetë 25% të forcave aktive në përfundim të kompletimit të plotë që do të rezultojë në 2100 vetë, personel rezervist.
Për periudhën që shërbejnë si rezervistë me kontratë në strukturën që dëshirojnë, gëzojnë të gjitha të drejtat sipas ligjeve në fuqi njësoj si ushtarakët aktivë.
Kush do të jetë pjesë e Forcës Rezerviste
Projektligji thotë se pjesë e kësaj strukture do të jenë ushtarët në rezervë, shtetasit shqiptarë që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe të gjithë ata shtetas shqiptarë që duan t’i bashkohen këtij formacioni me vullnetin e tyre dhe plotësojnë kriteret.
Ushtarakut në rezervë, me përfshirjen e tij në strukturat rezerviste të Forcave të Armatosura, i jepet grada ushtarake që ka pasur në momentin e ndërprerjes së shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura.
Shtetasi shqiptar që nuk ka shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që plotëson kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak në rezervë titullohet dhe i jepet grada e parë ushtarake
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak në rezervë
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak në rezervë është nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak në rezervë mund të zgjatet mbi kohën e përcaktuar më sipër vetëm në rastet kur vendosen masat e jashtëzakonshme, sipas kritereve të përcaktuara me ligj.
Si përjashtim ushtarakut në shërbimin rezervist mund t’i kërkohet të shërbejë më shumë se afati i përcaktuar në këtë projektligj në rastet kur: do të aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në kuadrin e vendosjes së masave të jashtëzakonshme dhe për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje; do të aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja; aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione humanitare ndërkombëtare të drejtuara nga BE-ja, si dhe aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në mbështetje të autoriteteve civile në emergjencat civile.
Shtetasi me pranimin në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruan kontratën e shërbimit ushtarak ku përcaktohet edhe koha e shërbimit ushtarak në rezervë për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.
Kostoja fillestare e aktivizimit e përllogaritur për një numër efektivesh prej 2100 vetë, do të jetë në vlerën 1,527,183,144 lekë dhe kosto mesatare e mobilizimit për një afat kohor mesatar prej 40 ditë mobilizim në vit do të jetë në vlerën 826,072,512 lekë.