Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi ka publikuar një foto të deputetit Besnik Troplini dhe ironizon atë, si një nga deputetët që votoi pro shkarkimit dje. Në foton e shpërndarë nga Blushi, Troplini shfaqet me një “500-she” euro në ballë dhe pas tij, fanela dhe shalli i ekipit të Tiranës.
“Deputeti me “votë” në ballë, i grupit “antikorrupsion” të murrizëve, në pritje të direktivave nga përtej “oqeanit”. I siguruan çunat pushimet edhe për këtë vit! Ha ha ha”, shkruan zëdhënësi i Metës, duke ironizuar një nga deputetët që votoi pro shkarkimit të Presidentit.
Besnik Troplini është pjesë e grupit të deputetëve të drejtuar nga Myslim Murrizi në Kuvend.
Kujtojmë se, dje Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash raportin e Komisionit Hetimor dhe më pas shkarkimin nga detyra të Ilir Metës, si President i Republikës. 104 deputetë votuan pro, 7 kundër dhe 3 abstenim.