Një 55 vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi nga kontrolli i territorit me dron, është zbuluar një parcelë me kanabis në Balldre. Siç shihet dhe nga pamjet, shtetasi me inicialet P.Z është prangosur si autor i dyshuar.
“Si rezultat i kontrolleve është evidentuar dhe goditur një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në Balldre. Për këtë rast është arrestuar në flagrancë shtetasi P. Z., 55 vjeç, banues në Balldre, pasi dyshohet se ka kultivuar në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, bimë të dyshuara narkotike, të cilat janë asgjësuar me anë të djegies”, njofton Policia.
Po ashtu, në Shëngjin është arrestuar dhe një 18 vjeçar me banim në Tiranë sepse është kapur duke shpërndarë kanabis.
“Gjithashtu, në vijim të kontrolleve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. D., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, në Shëngjin, i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.