Kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj do të hetohet në gjendje të lirë, për dhunën ndaj mjekut Dritan Hoxha. Kryetari Zotkaj akuzohet për ”Goditje për shkak të detyrës”.
Por kryetari i Bashkisë së Poliçanit ka hedhur poshtë deklaratat e mjekut, se ka dhunuar Dritan Hoxhën. Nëpërmjet një komunikimi, Zotkaj ka rrëfyer se ky është një provokim i pastër politik, pasi konflikti ka nisur disa ditë më parë.
”Më telefonoi drejtoresha e shkollës Vjollca Lulai. Ajo më tha: ”Hajde shpejt se disa djem kanë goditur vajzën tënde. Dola nga zyra tejet i shqetësuar. Së bashku me kunatin tim u nisa për tek shkolla. Kur po kalonim para qendrës shëndetësore më zunë rrugën 10 persona, mes të cilëve Enver Daja dhe vëllai i tij. Ata nisën të na ofendonin dhe shanin. Ndërsa po replikonim, del nga qendra shëndetësore mjeku Dritan Hoxha dhe nis të na shajë. Ndërhyri kunati im duke e shtyrë atë. Ata u goditën me njëri-tjetrin. Sherri ndodhi jashtë qendrës shëndetësore ndërsa unë nuk hyra brenda ambjenteve të saj pasi nuk kisha arsye”, ka thënë Zotkaj.
Sipas tij, debatet kanë nisur ditën kur vajza e tij ka qenë së bashku me të rinjtë e LSI-së në Konventën e FRESSH-it në kryeqytet. ”Atë ditë fëmijët e vëllezërve Daja kanë sharë time bijë në ”Facebook” duke thënë ”FRESSH, presh, le…Kjo ngjarje ka prapavijë politike. Për çdo fushatë elektorale mua më provokojnë. Janë njerëzit e LSI-së ata që më provokuan”, theksoi Zotkaj.
Dje kryetari i Bashkisë së Poliçanit është denoncuar në polici nga mjeku i Qendrës Shëndetësorë të Poliçanit Dritan Hoxha. Mjeku ka deklaruar se është goditur me grushta nga kryebashkiaku i Poliçanit. Mësohet se mjeku ishte në krye të detyrës gjatë ngjarjes së ndodhur.
“Rreth orës 9:30 të mëngjesit isha në vizitë, dëgjoj sherr para qendrës shëndetësore, dal të shoh, dhe shoh që kreu i bashkisë me persona të tjerë po dhunonin një qytetar. Kryetari i Bashkisë më shikon dhe drejton drejt meje fjalë fyese e denigruese. Nuk i ktheva përgjigje. Në ambjentet e brendshme, me bluzë të bardhë veshur e me stetoskop, më qëllon në fytyrë, më bën dëmtim në syrin e majtë. Unë bëra denoncim në polici”, deklaroi mjeku në një lidhje telefonike.
Kryebashkiaku Adriatik Zotkaj është bërë shpeshherë burim lajmesh pasi edhe më parë ka qenë i përfshirë në konflikte fizike në qytetin e Poliçanit.