Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është munduar të qetësojë shoqërinë civile e cila ka protestuar që prej mëngjesit përpara Kuvendit kundër projektligjit për importin e plehrave.
Në fjalën e tij në seancën plenare, Vasili theksoi se shoqëria civile do t’i garantohet me ligj të kontrollojë mbetjet që do hyjnë në Shqipëri dhe nëse vërtetohet një anailizë e manipuluar apo një kamion që tenton të fusë mbetje të rrezikshme, atëherë ky ligj do të anulohet njëherë e përgjithmonë.
“Sot jemi në momentin kur finalizojmë diskutimin e ligjit, i cili nuk diskutohet sot për herë të parë pasi në sallën e parlamentit kjo temë është rikthyer për vite me radhë. Praktikisht në sallë i bie që shumica e saj ka diskutuar dhe është përpjekur të provojë nevojën për ta bërë atë ligj. Çështja të cilën doja të vija në vëmendjen e opinionit publik shqiptar, në këtë diskutim të gjatë, kur kryefjala ka qenë përdorimi i një liste të gjelbër dhe besoj se është argumenti i vetëm që ligji nuk është dëmtues për mjedisin. Mosbesimi ka vetëm një zgjidhje, transparencë maksimale. Në rast se një doganë nuk funskion, në mnëyrë okulte këto mbeturina mund të futen edhe sot dhe vetëm transparenca dhe kontrolli i rreptë mund ta parandalojë këtë. Prandaj, thelbi i amendamentit që unë kam paraqitur është një rol i ri i pavendosur kurrë më parë në legjislacionin shqiptar, që i njeh shoqërisë civile mundësinë me ligj që të jetë një sy pa asnjë kufizim. Besoj se shoqëria civile është e rëndësishme edhe për vlerat intelektuale që tejkalojnë shpesh herë politikën. Qoftë se rezulton edhe një analizë e manipuluar, apo qoftë edhe një kontenier që do të tentonte të fuste mbetje të rrezikshme, do të ishte një motiv i qartë për ta anuluar njëherë e përgjithmon këtë ligj”, tha Vasili.