I dërguari i SHBA-ve Gabriel Escobar, ka folur për media pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilët i takoi ndarazi bashkë me emisarin sllovak, Miroslav Lajçak. Të dy zyrtarët e lartë janë angazhuar për dialogun me Serbinë.
Escobar ka thënë se liderët kosovarë e kanë siguruar që nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator, ditë kjo kur fillon implementimi i masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente të hyrje-daljeve me serbët.
“Ata na siguruan se nuk duan asnjë përshkallëzim, nuk duan dhunë në 1 shtator. Pra, tani jemi këtu sot për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe gjithë ai optimizëm të përkthehen në të mirë të vendit”, ka thënë i dërguari i SHBA.
Ndërkohë, Miroslav Lajcak ka thënë se përmes vizitës në Kosovë me Gabriel Escobar kanë dashur të dërgojnë mesazhin se ka unitet mes Brukselit dhe Uashingtonit dhe se komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar me atë që ndodhi më 31 korrik.
“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik.
Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, është shprehur Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi.