Nga Hamdi Jupe
Panairi i librit ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore kombëtare që organizohet vetëm një herë në vit. Është edhe një çast shmangieje nga zallamahitë politike e jo politike të ditës, një “arratisje” nga realiteti i vërtetë, për t’u zhytur në një botë tjerër magjike medituese për disa çaste. Te porta e panairit ishin rojet që të kujtonin se jemi akoma në pandemi dhe prandaj duhet të vendosje maskën, pa të hyje.
U solla rreth dy orë nëpër të, duke i rënë herë rreth e rreth e herë mespërmes, aq sa m’u këputën këmbët, i ngazëllyer nga pamjet që më shfaqeshin para syve. Për të parë sa më shumë, por edhe për të blerë, me “buxhetin” e kufizuar të pensionistit ku bëj pjesë.
Pashë një larmi të madhe botimesh të të gjitha llojeve, të të githa fushave, të të gjitha kulturave, të të gjitha kombeve. Ishte intusiazmuese kjo pamje plot prurje që të shfaqte panairi, aq sa turbulloheshe (për mirë, natyrisht) para tyre. Kjo ishte përshtypja e parë që më lumturoi. Ka pra në këtë vend, një sektor ku punohet, derdhet djersë, edhe nerva, edhe para. Është sektori i diturisë, i ndriçiimit të mendjes së shqiptarëve në gjuhën amëtare. Nuk janë vetëm politikanët që punojnë, as ekonomistët, as fermerët, as ndërtuesit, por edhe njerëzit e kultures. Respekt për të gjithë ata që rrinë deri në orët e vona të natës për të na sjellë gjithë këtë pasuri shpirtëroe të larmishme në duart tona. E ka thënë Naimi i madh: “Drita e diturisë, përpara do na shpjerë”. Prej saj ata punonjës nxjerrin bukën e përditshme (në kuptim jo metaforik) me djath e domate, se zengjinë nuk bëhen dot me të, harroje. Kjo ishte ndjesia e parë që provova.
Lumturia e dytë ishte shumëllojshmëria e librave mbi banakë. Ishte atje e gjithë letërsia klasike botërore, që nga antiqyteti, rilindja europiane me pionierin e saj Dante e deri te letërsia bashkëkohore. Ja edhe këndet e letërsisë për fëmijë. Lexuesi shqiptar e gjen tani të gjithë kulturën botërore në librartë tona, si atë klasike, edhe atë moderne. Nuk është si dikur, në kohën e rinisë sonë që këto ishin vetëm “me tullon”, në pak kopje në bibliotekë e mezi gjendeshin “me mik” për t’u lexuar.
Në këtë rast meritojnë një fjalë të mirë përkthyesit tanë që na i kanë sjellë këto vepra dhe që po ecin në rrugën që kanë hapur Noli, Kokona, Lurasi etj. Ja, në çmimet që u dhanë në panair ishte edhe fituesja e çmimit më të mirë për përkthime, një vazjë (a nuse) e re me një vepër nga spanjishtja. Ajo besoj e di që përkthyesi i parë i spanjishtes në shqip ishte i madhi Fan Nol me vëllimin e parë të “Don Koshotit?” Urojmë që ajo të ecë në rrugën e Peshkopit të letrave shqipe.
Së treti, nëpër banakët e panairit na jepet mundësia të shikojmë edhe tituj librash nga autorë të njohur që nuk i kam parë më parë. Janë një numër botimesh të shkrimtarit Ismail Kadare që nuk i kam në bibliotekë dhe që po ma bëjnë me sy nga banaku. Ka aty edhe libra të shkrimtarëve të tjerë, të njohur e të rinj shqiptarë, ca të afirmuar tashmë, ca “me buzët me qumësht”. Ashtu vete kjo punë: “Sa mundi çau babai në jetë/ më tej të shkojë i biri.” Letërsia shqiptare vazhdon të lëvrohet, edhe pse kritika për të mungon. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve të panairit u tha se në konkursin me këtë rast ishin dorëzuar njëqind e njëzet tituj librash të rinj të autorëve shqiptarë. Një shifër entusiazmuese “të korrash” kjo, për një kohë vetëm njëvjeçare dhe me COVID-in nëpër këmbë. Sasia pastaj do të sjellë edhe cilësinë.
Kritika e letërsisë është ndërlidhësja e saj me publikun, është “paradhoma” nga kalon lexuesi për te libri, por ajo akoma çalon tek ne. Çalon e çalon keq, ka mbetur jetime fare. Rrallë shikon ndonjë shkrim për veprat letrare në ndonjë qoshe gazete të përditshme të mbushur me zulmë politike. Nuk po i gjendet dot ilaçi se si mund të stimulohen kritikët e letërsisë për ta ushtruar atë në shërbim të saj dhe të publikut. Piktori që kemi në krye të qeverisë kujdeset vetëm për albumet e tija, por jo edhe për financimin e një gazete letrare- kulturroe – artistke si “Drita” dikur, që të merrej me këto probleme. Gërmo Tare, gërmo, se atje, te qeveria, ke për ta gjetur qenin e ngordhur të kujdesit për librin.
Së katërti, cilësia e paraqitjes së jashtme të librave në panair është në nivel të lartë. Ka luks në këtë paraqitje, sepse ka shije te zhvilluara të botuesve që i përgatisin ato për treg. Paraqitja e jashtme është kulturë, (“veshja – kopileshja”, thotë populli). Hapi i dytë është përmbajtja. Në këto rrethana është vendi të shprehet mirënjohja edhe për atë ushtri punonjësish të “prapavijës”: piktorë, grafistë, fotografë, faqosës etj, që merren ditë e natë me ormisjen e librit, deri sa ta sjellin të terezitur në duart tona.
E pesta dhe më kryesorja, të shtunën në panair pashë shumë njerëz, të mëdhenj e të vegjël, këta të fundit të shoqëruar nga të mëdhenjtë . Kjo ishte bukuria më e masdhe e panairit. Pa blerës, nuk ka libra. Është një përshtypje e përgjithshme që sot njerëzit nuk lexojnë shumë, të rinjtë bien pas internetit, facebookut etj dhe s’duan t’ia dinë për librin etj. Nëse shikoje vizitorët e panairit të librit, kuptoje se nuk është plotësisht ashtu. Ka interesim për librin nga publiku dhe kjo është themelore.
E fundit, por jo nga rëndësia, në këto botime të shumta po lëvrohet përgjithësisht me sukses gjuha shqipe. Në raport me sektorët e tjerë të jetës dhe veprimtarisë njerëzore, (të mediave, psh,) në librat e botuar ka më tepër kërkesë e seriozitet, më shumë kontroll mbi rregullat gramatikore, sintaksore, stilistikore etj, sepse libri i botuar mbetet në bibliotekë për njëqind vjet dhe të nderon ose të nxin faqen përjetë, nëse nuk je sjellë mire me gjuhën në të. Në televizionet tona, por jo vetëm atje, në jo pak rasate, dëgjojmë një shqipe që është e bastarduar dhe vazhdon të dëmtohet edhe më tej në mënyrë të papërgjeshme nga të papërgjegjshmit dhe të pakulturuarit.
Iibri jep edhe një model se si duhet punuar në këtë drejtim. Po a vlerësohet kjo punë e redaktorëve dhe korrektorëve letrarë nga botuesit? Mendosj se jo. Në shumicën e herës emrat e tyre mungojne në botime tona, sikur ata të mos ishin fare, i quajnë “hallkë e tepërt”. Por ata janë “gardianët” e gjuhës dhe të ligjërimit shqip, që lënë sytë mbi shkronja për të shpëtuar gjuhën, prandaj duhet të jenë në hyrje të librave.
Ja edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve për librat më të mirë. Fjalimi i tij ishte më të gjatë se ç’duhej, me fjalë të rrumbullakosura e pa emocion, huq i njohur i politikanëve ky. Por kjo i falet përderisa, siç kuptova, bashkia ka financuar për çmimet që u shpërdanë në panair për librat dhe ndoshta edhe më shumë se kaq. Le të mbajë fjalime të gjata sa të dojë Veliaj, do t’ia durojnë krijuesit, vetëm të vazhdojë ta mbështesë librin me të gjtiha format që ka mundësi. Nuk jam dakord me Gazmend Kapllanin që thotë: “Politikanët të mos vijnë në panairin e librit”. Ata duhet të vijnë të parët, se ata kanë nevojë më shumë se të tjerët të “ndriçojnë” e mendjes.
Nuk mund të rri pa shprehur edhe një kërkesë për botuesit. Desha të blej veprën e plotë poetike të poetit Frederek Reshpja, që prej vitesh nuk është më mes nesh, por nuk po e shoh kërkundi. Reshpja është një nga poetët më të shquar të letërsisë shqiptare të shekullit të kaluar, bashkë me Agollin, Kadarenë, Arapin, Xhevahir Spahiun, London etj, është zëri kryesor nga shkrimtarët e veriut në gjysmëshekullin që lamë pas. Ai iku në mënyrë tragjike vite më parë, u shua si meteor, pa mundur ta përmbledhë në një libër krijimtarinë e tij të gjerë, të përndarë në dy shekuj kohë e në shumë botime, një pjese e madhe e të cilave nëpër gazeta pas daljes nga burgu politik më 1990. U lutem botuesve nga Shkodra, (por jo vetëm) që kanë mundësi, ta bëjnë të mundur këtë gjë, pa le t’ia venë sa të duan çmimin e shitjes librit. Do të ishte një shërbim i madh për kulturën tonë.
Së fundi, dy fjalë edhe për blerësin e panairit. Hiç – hiç, i mora edhe unë nja tre mijë lekë të reja libra të autorëve klasikë: Shekspirit, Balzakut, Bajronit, Stendalit etj, me çmime të reduktuara. Jo për vete, se ato i kam në shtëpi të blera një shekull më parë, kur isha student e më vonë, por për mbeskat që janë akoma në vogla e që do të rriten një ditë. Le t’i kenë në bibliotekë me lidhje të reja, por me përkthimet e vjetra të Nolit, Bulkës, Luarasit etj. Vera e vjetër, në fuçi të re. Mirë u pjekshim pra, në panairin jetër.