Ish-kryeministri Sali Berisha është nisur paraditen e kësaj të enjteje nga shtëpia e tij, në rrugën “Mustafa Matohiti”, drejt Prokurorisë së Tiranës. Ai do të dëshmojë për ngjarjet e dhunshme të ndodhura në protestën e thirrur prej tij më datë 8 janar në selinë e PD.
“Do të dëshmoj bashkëpunimin në shkallën më të lartë të krimit në narko-shtetin shqiptar që doli qartë si drita e diellit më datë 8 janar. Për më shumë ju ftoj se sa të dalë nga dera e Prokurorisë do ju informoj juve hollësisht. Basha është një vegël i Qeverisë. Duhet të kërkonte të falur dhe të ndëshkonte policinë që ndaloi njerëz të pafajshëm”, tha Berisha për mediat.
Ish-lideri i Partisë Demokratike për herë të parë do të shkelë në Prokurori. Në gati 31 vite politikë, ish-kryeministri, ish Presidenti dhe ish kreu i Partisë Demokratike nuk është thirrur asnjëherë në oranin e akuzës qoftë edhe për shpifje, si shumë deputetë apo ministra.
Pyetja e Berishës është planifikuar në orën 11.00 dhe ish-kryeministri ka qenë i përpiktë. Pas tij, sipas raportimeve të mëparshme të newsbomb.al, në Prokurorinë e Tiranës do të dëshmojë dhe deputeti Flamur Noka, i cili është reshtuar krah Berishës. Mbi Nokën rëndojnë disa akuza, kurse Berisha nuk është nën hetim.
Po ashtu, nesër Prokuroria do të thërrasë për të marrë në pyetje kryetarin aktual të PD Lulzim Basha, bashkë me sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, në orën 11:00. Edhe Basha ka shprehur gatishmërinë për t’u paraqitur para organit të akuzës, për të dhënë deklarimet e tij për sulmin mbi selinë e PD.