Gjykata Kushtetuese mbajti sot seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për shfuqizimin e Bordit të Ushqimeve.
Pas seancës jashtë ambienteve të gjykatës në një deklaratë për mediat, deputeti demoktrat, Dashnor Sula tha se kërkoi shfuqzimin pasi sipas tij ky bord u ngrit për të mbrojtur qytetarët dhe nuk ka funksionuar, por çmimet kanë njohur vetëm rritje.
Sula tha se bordi nuk ka sjellë asgjë të mirë sa i përket qytetarëve shqiptarë në aspektin e monitorimit.
“Ne si PD i parashtruam për gati 2 orë, të gjithë kërkesat nga ana e grupit parlamentar. Për gati dy orë u shteruan të gjithë argumentet që është një bord i cili nuk ka sjellë asgjë të mirë sa i përket qytetarëve shqiptarë në aspektin e monitorimit. Produktet sidomos të shportës janë rritur krahasuar me një vit më parë.
Kemi parasysh që politikat që kanë ndjekur qeveritë e vendeve të Evropës Janë efikase dhe konsumatorët janë mbrojtur, kurse në Shqipëri ndodh komplet e kundërta. Jemi i vetmi vend në rajon që s’kemi marrë masa efikase. Qeveria nuk ka interes së uljes së çmimeve por për mbushjen e arkës së shtetit nga xhepi i qytetarëve, në një kohë krize. Kjo qeveri s’ka sjellë asnjë dobi. Pashë një përgjegjshmëri të lartë nga Kushtetuesja. Kemi bindjen që do triumfojë drejtësia, ky s’është interes politik por i qytetarëve shqiptarë”, tha Sula.