Partitë politike në Shqipëri janë njohur sot me përgjigjen e Komisionit të Venecias për ligjin e vetting-ut, si pjesë e paketës për reformën në drejtësi.
Sipas burimeve, mësohet se ligji është konsideruar tërësisht kushtetues nga ekspertët e Venecias, të cilët theksojnë se në asnjë element ky ligj nuk bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.
Përgjigja zyrtare e Komisionit të Venecias do të mbërrijë më 9 nëtor në Tiranë dhe më pas Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të marrë vendimin përfundimtar.
Ishte kjo gjykatë që pezulloi përkohësisht ligjin për ta dërguar në Venecia, pasi Partia Demokratike e depozitoi atë me pretendimin se bie ndesh me Kushtetutën.
Ky vendim i opozitës ka shkaktuar reagime në Bruksel dhe Uashington, ndërsa partnerët e Shqipërisë kërkojnë me ngulm zbatimin sa më të shpejtë të vetting-ut.