Forcat ruse po grumbullohen në jug të Ukrainës, dhe Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se mund të bëhet fjalë për përgatitje për një sulm të ri.
Ministria e Mbrojtjes britanike tha se trupat e Vladimir Putin që po mblidhen ose janë në pritje të një kundërofensive të Ukrainës ose po përgatiten për një avancim të ri të mundshëm në vend.
Konflikti “është gati të hyjë në një fazë të re”, tha Ministria e Mbrojtjes britanike, duke paralajmëruar se luftimet do të zhvendoseshin në perëndim dhe në jug në një vijë fronti afërsisht 350 kilometra që shtrihet nga afër qytetit të Zaporizhzhia në Kherson, aktualisht të pushtuara nga Rusia.
Kolona të gjata kamionësh, tankesh dhe armë ushtarake ruse janë vërejtur duke lëvizur në një drejtim jugperëndimor larg rajonit të Donbasit, i cili ka qenë fokusi i përpjekjeve të fundit të luftës të Rusisë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se pajisjet ushtarake “u raportua se po lëviznin nga Melitopol, Berdiansk, Mariupol i pushtuar nga Rusia dhe nga Rusia kontinentale përmes urës së Kerçit në Krime”, ndërsa grupet taktike të batalionit, të cilat përfshijnë midis 800 dhe 1,000 trupa, “janë dislokuar në Krime dhe pothuajse me siguri do të përdoren për të mbështetur trupat ruse në rajonin e Khersonit”.