Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar ditën e shtunë në Ankara me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë ceremonisë inaguruese për rizgjedhjen e Erdogan si presidenti i Turqisë.
Osmani tha përmes një postimi se ka biseduar me shefin e NATO-s për bashkëpunimin me aleancën dhe për sigurinë e përbashkët në rajon.
“Dje në Ankara, në ceremoninë inauguruese, e përgëzuam Presidentin Recep Tayyip Erdogan për rizgjedhjen, duke shprehur përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona. Gjatë ceremonisë, me liderë të tjerë e miq të Kosovës, bashkëbiseduam për rëndësinë e bashkëpunimit në këtë kohë përcaktuese për sigurinë e përbashkët”, u shpreh Vjosa Osmani.
Ky takim vjen pak ditë pasi Stotlenberg bër me dije se NATO do të dërgojë edhe 700 trupa të tjerë shtesë në Veri të Kosovës, në kuadër të misionit të KFOR.
Shefi i NATO-s gjithashtu u kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i përmbahen dialogut Prishtinë-Beograd i cili po udhëhiqet nga BE dhe SHBA.
Ai shtoi se Aleanca Veri-Atlantike do të jetë prezente në Veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ulur tensionet në rajon.
“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë. Kosova dhe Serbia të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, tha Jens Stolenberg për mediat në një takim me ministrat e jashtëm të NATO-s në Oslo.