Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për katër të akuzuarit që publikuan pagat dhe të dhënat e tjera personale të shtetasve shqiptarë. Rreth një vit më parë, ngjarja mori përmasat e skandalit, pasi databazat me të dhëna u shpërndan masivisht në media dhe rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për Andi Agaraj, Eni Qirjako, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Ata nuk do të bëjnë asnjë ditë burg, por do të mbajnë kontakte me shërbimin e provës për një periudhë disa vjeçare.
Dy punonjësit e sistemit IT të Drejtorisë së Tatimeve, Andi Agaraj dhe Eni Qirjako u dënua respektivisht me 4 dhe 2.8 vite burg të konvertuar në shërbim prove.
Edhe dy personat e tjerë, dy përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi u dënuan me 2.8 vite burg të konvertuar në shërbim prove. Këta dy shtetas blenë të dhënat e shqiptarëve nga punonjësit e Tatimeve për 200-300 mijë lek të vjetra.
Skema e nxjerrjes së databazës së të dhënave
Eni Qirjako, specialistja e IT-së te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbuluar skemën se si u publikuan të dhënat personale nga serverët e zyrave të shtetit. Ajo tregoi se kolegu i saj, Andi Agaraj, i ka kërkuar të riformatojë kompjuterin për të humbur gjurmët e kërkimeve në rrjet, por Qirjako ka deklaruar para hetuesve se nuk e kishte pranuar një kërkesë të tillë.
Ndërsa Agaraj ka bashkëpunuar me drejtësinë, duke zbuluar emrat e dy përmbaruesve privatë që ia kishte shitur, përkatësisht Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se specialistja e IT-së te Tatimet, Eni Qirjako, ka marrë të dhënat e pagave në sistem dhe ia ka dërguar kolegut të saj të IT-së, Andi Agaraj.
Ende nuk dihet se pse është përdorur kjo skemë, pasi të dy specialistët kanë akses në të dhënat e pagave të shqiptarëve. Ka qenë Agaraj ai që i ka shitur këto të dhëna me një vlerë prej rreth 20-30 mijë lekë për çdo databazë te përmbaruesit privatë. Këta të fundit dyshohet se i shpërndanë më pas ato në rrjetin e komunikimeve elektronike “WhatsApp”.