Vrasja dhe “vetë-zhdukja” janë dy ndër pistat që Policia e Shtetit po heton për biznesmenin e shumëkërkuar Ervis Martinaj. Ministri Bledi Çuçi u shpreh se pistat janë disa, por ai nuk mori përsipër të fliste më shumë, duke qenë se çështja është nën hetim.
Biznesmeni i lojërave të fatit ka humbur gjurmët prej datës 9 gusht dhe ka qenë familja që ka bërë kallëzim, edhe pse ai kërkohet prej muajsh nga SPAK si një eksponent i krimit të organizuar. Në media janë hedhur disa versione, të vrasjes, zhdukjes apo inskenimit për t’i shpëtuar armiqve.
Bledi Çuçi: Policia po heton, po heton të gjitha pistat, policia do të flasë kur të ketë prova dhe nuk mund të flasë në bazë të thashethemeve. Ajo që po bën policia është padyshim hetimi në pista të ndryshme. Pistat janë pista e vrasjes, pista e zhdukjes në mënyrë të vullnetshme. Ai është gjithmonë në kërkim nga drejtësia, sepse ka pasur edhe më herët statusin e të shumëkërkuarit. Konkluzioni do të jetë i bazuar në prova, jo në thashetheme.
Sokol Balla: Prova kemi që shoqërohej deri në sekondat e fundit nga një efektiv policie
Bledi Çuçi: Policia e zbuloi
Sokol Balla: Po ai ishte polic.
Bledi Çuçi: Policia e zbuloi pra këtë gjë, këto mos bëni sikur ndodhin vetëm në Shqipëri dhe që bota e zhvilluar nuk ka raste të tilla
Sokol Balla: Ndeshin me frekuencë
Bledi Çuçi: Ku e di ti se me cilën frekuencë ndodhin? Ke studime? Ndodhin edhe më shpesh madje. Unë s’jam i sigurt as për ty, jam dyshues edhe për ty që mund të jesh një vrasës potencial në momentin që shoh një shenjë. Por kur nuk e shoh një shenjë, nuk jam.