Kreu i grupit të PS Taulant Balla, ka thënë sot se shumë shpejt do të nisin diskutimet për dy komisione të posaçme që do të ngrihen në Kuvend dhe të kërkuar nga PD, për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Ai tha se këto komisione do të kenë një afat 6 mujor.
Socialistët pritet që të zgjedhin dhe bashkëkryetarët për to, si dhe anëtarët që do jenë nga 8 për të dy palët. I pyetur nga gazetarët, kreu i grupit të PS tha se nuk ka pasur negociata me demokratët për votimin e vettingut, por demokratët u ndërgjegjësuan.
“Nuk ka pasur negociata. Është vetëm ndërgjegjësim i deputetëve dhe grupit parlamentar të opozitës, i PD. Vendosën të mbështesin duke e konsideruar procesin e reformës si tejet të rëndësishëm për Shqipërinë”, tha Balla.
Politikani i majtë u pyet dhe për “Toyota Yaris”, pas ardhjes së hetuesve belgë në Tiranë.
“Kemi qenë në këtë korridor më pak se 3 vite më parë, jo 4 vite më parë, kur zoti Basha lëshoi një akuzë që u provua nga Gjykata e Krimeve të Rënda si e pavërtetë. Zoti Basha u dënua penalisht. Unë kam thënë në atë kohë që e vërteta vonon por nuk harron. Personi që më akuzoi mua sot është në listën e personave të dyshuar”, përmbylli Taulant Balla.