Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko deklaroi mbrëmjen e sotme se Kosova është parësore në politikën e jashtme të Shqipërisë.
Ai u shpreh në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, se Shqipëria ka një karrige në Këshillin e Sigurimit të OKB, çka e bën atë të rëndësishme për të ndërhyrë dhe për t’i qëndruar në krah Kosovës.
Sa i përket marrëdhënieve Rama-Kurti, Majko tha se mes dy kryeministrave “nuk ka kimi”.
“Mendoj se të paktëm janë dy arsye, që e bëjnë Edi Ramën të sillet si danez, ose gjysmë danez. Së pari, Shqipëria sapo ka marrë një rol sa i përket çështjes së integrimit evropian në rajon.
E dyta, Shqipëria ka një status të ndryshëm nga të gjitha vendet e rajonit, ka një karrige në Këshillin e Sigurimit. Të dyja këto elemente, nuk e bëjnë Shqipërinë më pak të rëndësishme apo më pak të tërhequr. E bëjnë atë të rëndësishme të ndërhyjë në momentin e duhur, duke pasur këto dy mekanizma, për t’i qëndruar në krah Kosovës.
Por që Shqipëria në këto momente është totalisht në krah të Kosovës, në Prishtinë shkuan pas ngjarjes ministri i Brendshëm dhe i Jashtëm. Mendoj që kjo është pasardhja e një krize që ndodhi me mos realizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Nuk është sekret të thuhet që midis Ramës dhe Albinit nuk ka kimi, ose nuk ka kiminë që kanë pasur kryeministrat e mëparshëm. Shqipëria në këto momente, ka alfën dhe omegën e politikës së saj të jashtme, ka Kosovën.”-u shpreh Majko.