Një delegacion nga Berlini ndodhet në Tiranë, ku po vëzhgon nga afër procedurat mbi dhënien e patentave nga shteti ynë. Më pas do të diskutohet në lidhje me fillimin e procesit për njohjen e tyre në Gjermani.
Drejtuesi i Departamentit për Qarkullimin Rrugor në Ministrinë Federale për Qarkullimin dhe Infrastrukturën Digjitale, Guido Zilke si dhe Drejtuesja e Referatit përgjegjës, Renate Bartelt-Lehrfeld, u informuan para pak ditësh mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri në sektorët e sigurisë rrugore dhe provimeve për patentat.
Me anë të një statusi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Ambasada shqiptare në Gjermani bën me dije se pala gjermane konstaton se janë bërë përparime në rrugën e njohjes së patentave shqiptare, por shton se për ndryshimet në ligj, do të duhet të japin aprovimin e tyre 16 landet federale.
Njoftimi i plotë i ambasadës:
Përparime në rrugën e procesit të njohjes së patentave shqiptare në Gjermani
Në një vizitë informative në Tiranë, Drejtuesi i Departamentit për Qarkullimin Rrugor në Ministrinë Federale për Qarkullimin dhe Infrastrukturën Digjitale, zoti Guido Zilke si dhe Drejtuesja e Referatit përgjegjës, zonja Renate Bartelt-Lehrfeld, u informuan para pak ditësh mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri në sektorët e sigurisë rrugore dhe provimeve për patentat.
Përpjekjet intensive të Shqipërisë në vitet e fundit për të sjellë procedurën e lëshimit të patentave në stadin më modern teknik dhe shkencor, përshëndeten shprehimisht nga Gjermania. Gjermania njeh përparimet e dukshme në këtë fushë.
Njëkohësisht vlen të mbahet parasysh se për njohjen e mundshme të patentave shqiptare do të duhet të japin aprovimin e tyre për ndryshimin e duhur ligjor të 16 landet federale. Me veprimtaritë pozitive të vlerësuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, nga këndvështrimi gjerman, është bërë një hap tjetër i rëndësishëm.
Sidoqoftë, duhet të ndiqen edhe masa të mëtejshme për të përmirësuar sigurinë rrugore në Shqipëri. Gjermania do të mbështesë intensivisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për të ulur numrin e aksidenteve. Delegacioni ka njoftuar se së shpejti do të dërgojë një ekspert të sigurisë rrugore në Tiranë.