Gjovalin Filopati, një këngëtar dhe artist i njohur mirditor, është ndarë nga jeta dje në moshën 71 vjeçare. Bashkia e Mirditës ka organizuar sot homazhet në nderim të tij në Pallatin e Kulturës, ku kanë marrë pjesë qindra artistë e miq të mjeshtrit të këngës.
Gjovalin Filopati shkroi dhe këndoi një jetë për Atdheun dhe Mirditën, ndërsa për kontributin e tij për këngët dhe vallet shqiptare kishte marrë disa nderime.
Fatkeqësisht, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 71 vjeçare.
Gjovalin Filopati e ka të lidhur jetën që në fëmijëri me artin dhe kulturën duke u rritur hap pas hapi mes artistëve me në zë të Mirditës, për t’u bërë më pas drejtues në vatra kulture si dhe një nga bardët e përmendur të folkut mirditas, edhe si anëtar i Ansamblit Mirdita dhe me Grupin Emblematik të Burrave.
Ai ishte në formacionin rishtar të vitit 1973 si instrumentist i bandës frymore, duke vazhduar me vite të tëra si dhe pjesë e orkestrave të kultivuara për muzikën popullore dhe atë të lehtë. Njëherësh shkrues tekstesh poetike për këngët, moderator dhe organizator eventesh si brenda dhe jashtë vendit.
Gjovalin Filopati u shqua si ndër më të mirët e humorit mirditas, duke qenë pjesë e estradave në varietetet e ndryshme koncertale ku përveç të shkruarit të fabulave humoristike, ai edhe interpretonte me një pasion të pashoq e profesionalizëm të lartë.
Gjovalin Filopati la një pasuri të vyer trashëgimore në fushën e artit dhe kulturës duke qenë një model udhërrëfyes për gjeneratën e re të artistëve të Mirditës.