Kreu i PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e Refomës Zgjedhore, teksa është treguar i hapur për bashkëpunim me të gjitha palët, për të bërë të mundur këto ndryshime.
Në fokus të platformës ishin listat e hapura, vettingu i politikanëve, barazia e votës dhe e drejta e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi sipas Bashës kjo gjë garanton suksesin e Reformës Zgjedhore.
“Koherenca dhe vendosshmëria janë një, për të garantuar suksesin e kësaj vendimarrje. Ne shtrijmë sot dorën ndaj çdo faktori politik, të lëmë menjëanë inatet, për të dhënë qytetarëve një reformë zgjedhore të standardeve europiane. Për PD, kjo nuk është thjeshtë vetëm një mundësi për të trajtuar problemet e bëra mullar nga zgjedhjet e kontestuara.
Por edhe një mundësi për të shtrirë horizontin drejt një kushtetute të re. Duke nisur me listat e hapura, pasi do të thotë që qytetarët të vendosin vetë se cilin nga kandidatët duan të çojnë në parlament.Listat e hapura, jo në bazë të renditjeve personale,” tha Basha.
Në fjalën e tij, kreu i PD theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar shtrihen në parlamentin shqiptar dhe se ka individë që janë në transkripet e Europoit për lidhjet me organizantat kriminale.
Prandaj kërkon medoemos vettingun e politikanëve, pavarësisht se vetë ai shpesh herë është akuzuar nga eksponentë të mazhorancës dhe opozitës për afera korruptive bashkë me kunatin e tij.
“Vettingu i politikanëve, faktoret kryesor malinj nuk janë Rusia apo Kina, por faktori kryesor malinj këtu është korrupsioni dhe krimi i organizuar që shtrihet në parlamentin shqiptar. Këtu vazhdon dhe ka patur individë të cilët nuk justifikojnë pasurinë e tyre marramendësë dhe as të miliardave të tyre.
Ka individë që për turpin e Shqipërisë janë në transkripet e Europoit për organizantat kriminale. Vetingu i politikanëve garanton që listat e hapura të mos kthehen në ankand për pastrimin e parave kriminale. Jo ankand i parave të pista dhe të drogës. Listat e hapura marrin kuptim nëse i japim fund pabarazisë së votës,” tha Basha.
Një vend të veçantë në fjalën e Bashës zuri edhe vota e emigrantëve. Për të, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duhet të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë.
“Kanë mbaruar alibitë për të mos iu njohur të drejtën e votës shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Votimi elektronik ua mundëson këtë. Shmanget abuzimi që shkakton votimi në ambasadë apo me postë.
Shpikja me regjistrin e emigrantëve, rezultoi një tjetër grykë shishje për të bllokuar votimin e tyre. Nuk ka nevojë për regjistër, ata janë në gjendjen civile.” tha Basha.
Kujtojmë se ditën e djeshme çështja e reformës zgjedhore u diskutua edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.