Autoritetet në New York kanë ngritur alarmin për ndotjen e ajrit, si pasojë e zjarreve në Kanada.
Dhjetëra milionë njerëz në Amerikën e Veriut janë paralajmëruar për cilësinë e rrezikshme të ajrit pasi zjarret intensive kanë “shpërthyer” në Kanada.
Toronto dhe New York shënuan nivelet më të ulëta të cilësisë së ajrit në botë gjatë natës të së martës, duke arritur mbi 200 Indeksin e Cilësisë së Ajrit në SHBA, nivel i cili konsiderohet i pashëndetshëm, shkruajnë mediet e huaja.
Zyrtarët e shëndetit publik kanë paralajmëruar njerëzit të mos kalojnë shumë kohë jashtë shtëpisë. Ndërkohë mijëra njerëz janë evakuuar në të gjithë Kanadanë me zjarrët që tashmë kanë djegur rreth 3.3 milioë hektarë tokë.
Zyrtarët kanadezë thanë se vendi po përgatitet për sezonin më të keq të zjarreve në histori me ndryshimet klimatike, duke rritur rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë. Në Kanada janë 414 vatra zjarre aktive dhe 239 prej tyre janë jashtë kontrollit. 20,138 persona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre.