Ish-këshilltari i jashtëm i kryeministrit Edi Rama, Dorian Duçka është një ndër personat e përmendur në dosjen amerikane të arrestimit të Charles McGonigal, ish-drejtori i Kundërzbulimit në zyrën e Nju Jorkut. Sipas aktakuzës, Duçka ka mundësuar takimin e parë të Ramës me McGonigal.
Mirëpo, edhe pse është në qendër të akuzave që kanë trazuar Amerikën dhe politikën në Shqipëri, Dorian Duçka duket i pa shqetësuar. Në vëzhgim në llogarinë e tij në Instagram, shihet se ish-zv.ministri dhe ish-këshilltari i Ramës ka vendosur “të pastrojë” imazhin.
Në tre postimet kryesore që Dorian Duçka ka bërë “pined”, i pari tregon disa foto nga takimi i tij me ish-kancelaren Angela Merkel, i dyti është një foto e gëzueshme e tij dhe i treti ka disa pamje nga vizita në Kiev, gjatë 2022. Krah Ramës në takimin me Zelenskyn shfaqet dhe Dorian Duçka.
Pas këtyre tre postimeve të bëra “pined”, pra të vendosura kryesore, fotografia e radhës është publikuar ditët e fundit, gjatë kësaj jave. Edhe pse politika në Tiranë “zien” nga akuzat, Dorian Duçka ka publikuar një portret të vetin shoqëruar me një shprehje motivuese nga Oscar Wilde.
“Jeto! Jetoje jeten e mrekullueshme brenda vetes! Mos lejo te humbasesh asgje! Kerko gjithmone ndjesi te reja… mos u frikeso nga asgje”, është shprehja që ka zgjedhur ish-këshilltari i Ramës, për të shoqëruar një portret të tijin realizuar nga Helidon Haliti.