Diplomatja e lartë amerikane Yuri Kim, është zyrtarisht në muajt e fundit të qëndrimit të saj në Shqipëri. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar këtë të enjte, se procedurat e zëvendësimit të saj kanë nisur.
“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.”
Ky është një reagim zyrtar dhe publik i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, bërë gati një orë më parë në llogarinë në Tëitter. Megjithatë, për pasuesin e Yuri Kim nuk ka ende asnjë informacion pasi ai zgjidhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.
— Albanian MEFA 🇦🇱 (@AlbanianDiplo) December 8, 2022
Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në janar 2020. Është një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.