
Me afrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, Instituti i Studimeve Politike ka risjellë në kujtesë 4 qeveritë e fundit, të cilat kanë patur 2 kryeministra dhe një numër të madh ministrash.
Në vitin 2005 Partia Demokratike erdhi në pushtet me kryeministër Sali Berishën, dhe e përsëriti suksesin edhe në vitin 2009, duke qëndruar në pushtet për 8 vite.
Këto dy mandate të PD sollën në postet e ministrave shumë figura, të cilët qëndruan për periudha të ndryshme kohore dhe u larguan, ndërsa vetëm 6 ministra ishin të pranishëm në të dyja qeveritë ‘Berisha’.
Bëhet fjalë për Fatmir Mediun, Ridvan Bode, Genc Ruli, Genc Pollo, Aldo Bumçi dhe Sokol Olldashi, të cilët duket se kanë qenë të preferuarit e kryeministrit Berisha.
Ndërkohë nga viti 2013 deri në vitin e ardhshëm 2021, kur do të ejnë edhe zgjedhjet, në qeveri ka qenë Partia Socialiste me kryeministër Edi Ramën.
Ndryshe nga Berisha që mbajti 6 ministra në të dy qeveritë, në qeveritë Rama ka patur vetëm 2 “të mbijetur”.
Bëhet fjalë për Blendi Çuçin dhe Arben Ahmetajn, ndërsa pjesa tjetër e ministrave kanë qenë të pranishëm vetëm një herë në qeveritë Rama.
Postimi i ISP:
Qytetarët marrin pjesë në zgjedhje, partia që fiton zgjedhjet ka kryeministrin dhe krijon qeverinë, – kjo e fundit, teorikisht, duhet të reflektojë votën dhe pritshmërinë qytetare. PD fitoi më 2005 me kartën e antikorrupsionit dhe humbi më 2013 e akuzuar për korrupsion. PS fitoi më 2013 me kartën e antikorrupsionit dhe më 2020 është nën akuza të shumëfishta për nivel të lartë korrupsioni. Alibia, sipas të cilës, uji është i pastër në burim, por turbullohet gjatë rrugës, – e përdorur gjerësisht edhe në kohën e diktaturës, vijon të jetë tezë politike edhe në tranzicion. Liderit tanë janë historikë, të fuqishëm, të ndershëm, reformatorë, europianë, modernë, por fajin e kanë të tjerët, – ata që emërohen prej tyre dhe që zbatojnë porositë e tyre! Kjo është alibia. Në fakt, sistemi ynë ka qenë dhe është piramidal, – lideri merr vendim dhe të tjerët vetëm sa i zbatojnë ato. Nuk ka numra dy në partitë politike, ka 1, 1, 1, 1, 1, dhe ca të tjerë!
Për memorie le të shohim sesi është bërë karriera politike dhe sa është respektuar “vullneti” qytetar në rotacionet politike 2005 dhe 2013. Referuar statistikave të Institutit të Studimeve Politike (ISP) më 2005 PD krijoi një kabinet, 6 ministra të të cilit (Mediu, Bode, Ruli, Pollo, Bumci, Olldashi) mbijetuan deri më 2013. Ndryshuan poste, provuan sfida të tjera, por mbijetuan dhe erdhën në pushtet si ministra, ikën gjithashtu si ministra. Bashkë me kryeministrin. Më 2013 e majta erdhi në pushtet me “1 milion shuplaka” ndaj të djathtës, e cila në fakt kishte qenë në pushtet me gjysmën e të majtës 2009-2013. Pas 7 vitesh dhe në prag të përfundimit të mandatit të dytë, kryeministri ishte dhe është në post prej 2013, por në kabinetin e tij kanë mbijetuar vetëm dy ministra (Çuçi dhe Ahmetaj). Edhe këta kanë lëvizur ca kohë, por mbijetuan dhe erdhën në pushtet si ministra, po përballen me sfidën e ikjes nga pushteti si ministra. Shumë emra të PD 2005 apo PS 2013 nuk janë më aktiv në politikë, disa nuk jetojnë më, disa në pension, të tjerë janë ricikluar, por në thelb, asnjë prej tyre nuk u përball asnjëherë realisht me drejtësinë. Ishin dhe mbetën të paprekshëm, pavarësisht kauzave antikorrupsion apo për rilindje, 900 mijë apo 1 milion votave pro/kundër.
Më 2021 do të ketë zgjedhje. Janë zgjedhjet e dhjeta në 30 vjet dhe të dytat me kryeministra që konsumojnë 8 vite pa ndërprerje në pushtet. Zgjedhjet e 2021 mund të jenë një statistikë më shumë, nëse nuk ofrojnë zgjidhje për problemet dhe zgjidhjet vetëm në skenarët e Hollyëood vijojnë nga ata që në të vertetë janë pjesë e problemit ose vetë problemi!