Bashkitë në Shqipëri kanë miratuar në tremujorin e dytë të 2023, gjithsej 509 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 339 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një rritje prej 50,1 %.
Këto janë shifrat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, përcjell newsbomb.al
Megjithatë, bie në sy se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2023, është 652.136 m2, nga 661.945 m2 miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 1,5 %.

Po ashtu, ulje me 5,8% ka shënuar dhe vlera e lejeve të ndërtimit. Në tremujorin e dytë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 24,4 miliardë lekë, nga 25,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2022.

Nga të dhënat e dorëzuara nga vetë Bashkitë dhe të përpunuara nga INSTAT, numrin më të lartë të ndërtimeve të reja e zënë ato për banim rezidente, më pas ndërtesat e tjera jo rezidente dhe ndërtesat industriale dhe tregtare, përcjell newsbomb.al.

Referuar shifrave në tabelë, të parat për numrin e ndërtesave të reja janë Durrësi dhe Tirana. Më pas, vijnë qytete si Vlora, Korça, Elbasani dhe Lezha. Edhe këto të dhëna janë deklaruar nga vetë bashkitë dhe janë përpunuar nga Instituti i Statistikave.

Përsa i përket sipërfaqes së ndërtimit të miratuar për lejet e reja të ndërtimit, vendin e parë e mban kryeqyteti. Tirana ka miratuar në tremujorin e dytë të këtij viti dhënien e plot 460.872 m2 sipërfaqe për ndërtime të reja. Më pas vjen Durrësi dhe Vlora, përcjell newsbomb.al.

Tirana mban gjithashtu vendin e parë edhe për vlerën e lejeve të ndërtimit. Kryeqyteti renditet i pari, më pas vijnë Vlora dhe Durrësi. Vlera të larta nga ndërtimet e reja, edhe pse me më pak leje, raportohen edhe në qytetet e Fierit dhe Gjirokastrës.
// Newsbomb.al