Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte një tur në bregdetin e jugut, nisur nga Vlora, Dhërmi, Borsh dhe Ksamil, për projektet e reja të zhvillimit turistik. Mbrëmja duket se e ka zënë në qytetin e Gjirokastrës.
Epo nëse je në qytetin e gurtë dhe rrethinat e Argjirosë hijerëndë, nuk mund të mos shkosh në baret e vendosur buzë rrugëve me kalldrëm.
Ashtu ka bërë dhe kryeministri dhe ka shkuar në një baret e frekuentuara të Pazarit, ku është takuar me kryebashkiakun Flamur Golemi dhe ish-kryebashkiakun Flamur Bime. Ky i fundit, njeriu që drejtori për tre vite Gjirokastrën dhe i prezantuar atje nga Fatos Nano.
E pranishme është dhe deputetja dhe drejtuesja e qarkut, ministrja Mirela Kumbaro. Ajo ndan fotografinë në rrjetet sociale dhe thotë se ndodhet mes kryeministrit dhe dy Flamurëve, në Gjirokastër.
View this post on Instagram
Flamur Bime u zgjodh për herë të parë kryebashkiak në vitin 2003, në një garë të lehtë përballë demokratit Ylli Asllani, i prezantuar nga kryeministri dhe kryetari i PS, Fatos Nano. Ai u rizgjodh edhe në kulmin e pushtetit të Berishës në vitin 2007, duke mundur kandidatin demokrat, Adi Kokalari.
Një vit pas rizgjedhjes në krye Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime përballet me momentin më të vështirë të karrierës së tij. Një pallat 5 katësh i ndërtuar në lagjen “11 janari” u shemb si pasojë e rrëshqitjes së dheut nga gërmimet për ndërtimin e një pallati tjetër pranë tij. Në këtë ngjarje pati edhe jetë njerëzish të humbura.
Megjithatë, Flamur Bime vijoi punën si kryebashkiak i Gjirokastrës pavarësisht kësaj ngjarje dhe ia doli që të kandidonte sërish për mandatin e tretë në vitin 2011. Ai fitoi me një diferencë të konsiderueshme kundër Edi Sinoimerit, por në vitin 2015, Rama vendosi të mos e kandidonte më.
// Newsbomb.al