Humza Yousaf, një politikan 37 vjeçnë Skoci dhe me origjinë pakistaneze, është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Kombëtare Skoceze. Tashmë, pritet që Yousaf të marrë dhe drejtimin e vendit, duke qenë se kryeministrja Nicola Sturgeon ka njoftuar dorëheqjen.
Karizmatik dhe mendjemprehtë, kështu e përshkruajnë mediat kombëtare Humza Yousaf, i cili është favorit për të zëvendësuar Nicola Sturgeon si udhëheqës i Partisë Kombëtare Skoceze dhe më vonë këtë muaj, si kryeministër i vendit.
Yousaf është djali i emigrantëve që mbërritën në Glasgow në vitet 1960. Babai i tij është nga Pakistani, ndërsa nëna e tij ka lindur në një familje aziatike në Kenia. Ai u arsimua privatisht në Hutchesons’ Grammar School në Glasgow dhe studioi politikë në Universitetin e Glasgow.
Në një konferencë shtypi në shkurt, ai tha se gjyshi i tij i ndjerë erdhi në Skoci nga një qytet i vogël në Pakistan në vitin 1962 dhe pothuajse nuk dinte asnjë fjalë anglisht.
Përpara se të bëhej muslimani i parë që u emërua në qeverinë skoceze në vitin 2012, Yousaf ishte një menaxher zyre për Bashir Ahmadin e SNP-së, i pari anëtar i parlamentit me prejardhje aziatike dhe myslimane dhe më pas vazhdoi të punojë për politikanë të tjerë, duke përfshirë Alex Salmond dhe Zonja Sturgeon.
Ai u bë ministër i Transportit në vitin 2016 dhe u gjobit me 300 £ për drejtimin e makinës së një miku pa sigurim.
Më pas ai u bë sekretar (ministër) i Drejtësisë në vitin 2018 dhe prezantoi projekt-ligjin për Krimet e Urrejtjes dhe Rendit Publik, i cili e bëri “ngjalljen e urrejtjes” ndaj fesë, orientimit seksual, moshës, aftësisë së kufizuar dhe identiteteve transgjinore një shkelje ligjore.