Vajza e Pjerin Xhuvanit ka kërkuar që autoritetet të ndalojnë publikimin e videove, ku tregohet se si u vra babai i saj në Elbasan, pak ditë para zgjdhjeve vendore të 2021.
Vajza e Xhuvanit nëpërmjet avokates Rezarta Tahiraj,kërkon të dijë se kush i ka nxjerrë këto që i shkaktojnë dhimbje dhe stress familjes.
“Një hetim gjyqësor për tu filluar me urgjencë është kërkuar nga Avokate Rezarta Tahiraj në Prokurorinë Elbasan për publikimin e disa videove të vrasjes së Pjerin Xhuvani. Avokate Rezarta Tahiraj, që në seancën paraprake që i përket kësaj vrasjeje është Palë Civile duke përfaqësuar të drejtat e vajzës së viktimës, Evangjeli Xhuvani, me kallëzimin për ndjekje penale i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan që të hetojë për të verifikuar se kush ka shkelur detyrimin e sekretit duke e bërë publike shpërndarjen e filmimeve ndërkohë që duhet të ishin përdorur vetëm në fushën gjyqësore.
Avokate Rezarta Tahiraj, evidenton se kallëzimi i saj nuk ka për qëllim vetëm që të identifikojë autorët e kësaj vepre penale por edhe të pengojë shpërndarjen e mëtejshme të këtyre filmimeve. “Ato imazhe të vrasjes të shpërndara në mënyrë të paligjshme janë parë në mënyrë të pavullnetshme edhe nga e asistuara ime – bën të ditur Avokate Rezarta Tahiraj duke ju referuar vajzës së viktimës – dhe kjo situatë i ka shtuar stres dhe dhimbje në konstatimin që babai i saj është vrarë pavarësisht pranisë të shumë policëve.
Tahiraj ka kërkuar ndër të tjera që Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan të verifikojë nëse shpërndarja e këtij dokumentacioni gjyqësor të ketë ndodhur në mënyrë të qëllimshme dhe me çfarë qëllimesh ose për neglizhencë ose pakujdesi të atij që kishte detyrën dhe detyrimin për të mbrojtur posedimin, ruajtjen dhe konfidencialitetin”, thuhet në komunikatë.