
Genci Maloku, babai i Andi Malokut, shoferit 23 vjeçar, i cili mbeti i vrarë në atentatin që iu bë prokurorit Arjan Ndoji, ka folur për videon që i dha deputetit Halit Valterin.
Video tashmë është dorëzuar në SPAK nga deputeti.
I përlotur, duke folur në intervistën në Neës24, ai ka thënë se djali i tij kishte vetëm 2 muaj si shofer i prokurorit, ndërsa më parë kishte punuar si kamarier.
Ai është shprehur se nuk e njeh Redian Rrajën, të arrestuarin si një nga autorët e sulmit, ndërsa thotë se djali i tij punonte për një rrogë 300 mijë lekëshe.
Genci Maloku thotë se nuk do e lërë pa marrë hakun e djalit nëse prokuroria nuk do i çojë para përgjegjësisë autorët.
“Nuk kishte as dy muaj që punonte si shoferi i prokurorit. Ka punuar gjithë kohën kamarier.
e punësoi një kushëriri im që punonte në prokurori.
Nuk më kishte shprehur asnjë shqetësim, se nuk do e kisha lënë. Unë e çova për të sigurt si shofer prokurori. Unë dua drejtësi. Më ka ikur shpirti, më ka ikur djali.
Unë Redjan Rrajën nuk e njoh fare. Unë rri në Tiranë.
Prokuroria e ka thënë, ka patur 3 persona kur kanë goditur. Ku janë dy të tjerët? Dua të di arsyen përse e kanë bërë këtë. Janë dy të tjerë pa kapur, vetë prokuroria e ka thënë.
Edhe prokurori nuk e di vetë akoma. Edhe Aleksandër Laho nuk ka patur asnjë problem.
Nuk e di si u gjend në makinën e prokurorit. Ishin për drekë, për qejfin e tyre.
Nga prokuroria s’kam marrë asnjë përgjigje, vetëm më thotë jemi në hetim. I kërkova ndihmë deputetit se mu duk më i drejtë dhe më aktiv. I kërkova ndihmë si djalit tim. Prokuroria s’më jep asnjë përgjigje.
Unë kërkoj vrasësit. Djali im është nën dhe’. Unë s’kërkoj asgjë tjetër. Pse duhet ta nxirrja këtë video nëse nuk e ka prokuroria? Unë s’kam marrë asnjë përgjigje. Kjo është vrasje, ka humbur jetën djali. S’më zë gjumi natën. I kam thënë edhe prokurorit, nuk e çoj dëm gjakun e djalit.
Politika të ndërhyjë te prokuroria. Po të dojë shteti për dy muaj e kap tjetrin. Këta harrojnë që mua më ka ikur fëmija, më dhemb shpirti. Jam shumë i indinjuar, jam i shkatërruar totalisht. Nuk e di akoma arsyen pse e kam djalin në dhe’. Nuk kemi patur asnjë konflikt të mëparshëm”, tha Genci Maloku.