Gjykata e Dibrës ka dënuar me 71.6 vite burg në total, 13 të arrestuarit e operacionit “Kepi i Vozajve”. Në janar të vitit 2022, Policia zhvilloi një operacion të madh pas informatave për kultivim droge në Dibër, ku ranë në pranga personat e mëposhtëm dhe u provuan disa raste kultivimi.
Gëzim Koleci, kryetar i fshatit Lam i Madh në Dibër dhe i cilësuar nga Policia si organizator i veprimtarisë kriminale, bashkë me persona të tjerë kanë kultivuar drogë në 5 episode, përgjatë periudhës kohore 2019 – 2021. Seanca maratonë e nisur të premten e kaluar është mbyllur pasditen e sotme me vendimin final, konkretisht:
- Gëzim Koleci, me 7 vite – Vuan 4.8 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Vilson Koleci, me 5.6 vite – Vuan 3.8 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Mehmet Koleci, me 6 vite – Vuan 4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Idajet Koleci, me 6 vite – Vuan 4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Gestjan Koleci, me 6 vite – Vuan 4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Albert Koleci, me 6 vite – Vuan 4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Lezan Riza Koleci, me 5 vite – Vuan 3.4 burgim nga gjykimi shkurtuar
- Lezan Dyle Koleci, me 5 vite – Vuan 5 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Agim Koleci, me 5 vite – Vuan 3.4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Afrim Haspepa, me 5 vite – Vuan 3.4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Besmir Koleci, me 5 vite – Vuan 3.4 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
- Rasim Xheçuka, me 5 vite – Vuan 5 vite kusht (për shkak të moshës)
- Gazmir Xheçuka, me 5 vite – Vuan 2 vite burgim nga gjykimi shkurtuar
Prokurori i çështjes Abaz Muça kërkoi nga gjykata dënimin me 73 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar që kishin kërkuar të akuzuarit, masa e dënimit për secilin është ulur me 1/3. Ata janë akuzuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” të kryera në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municioneve”.
Pas operacionit, Policia tha se shtetasi Gëzim Koleci, i cili ka mbajtur dhe detyrën e kryetarit të fshatit Lam i Madh ku nëpërmjet personave të lartëpërmendur, me të cilët ka lidhje familjare dhe fisnore, organizonte punën për kultivimin e lëndëve narkotike, përpunimin e saj dhe më pas gjetjen e tregut për shitje, të cilën e siguronte nëpërmjet djemve të tij shtetasve Vilson dhe Gestian Koleci, të identifikuar edhe si transportues të saj.