Bordi i Administrimit të Karburanteve ka zhvilluar këtë të shtunë mbledhjen e parë, ku është vendosur se nga sot çmimi i naftës do të jetë 217 lekë për litër dhe i gazit 93 lekë për litër.
Pjesë e këtij bordi special janë disa përfaqësues të shtetit që nga ministrja e Financave, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës dhe 5 përfaqësues të kompanive që furnizojnë me karburant.
Ky vendim vjen në një kohë, kur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe në mbarë qytetet e tjera, vendi po zien nga protestat e qytetarëve që kundërshtojnë rritjen e çmimeve dhe karburanteve.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë dje grosistëve të naftës se, nëse ata abuzojnë me çmimet, pika e tyre e biznesit do të merret në administrim nga shtetit. Sipas tij Çdo furnizues që do vendos në tabelë një çmim të ndryshëm nga ai që vendos Bordi, do humbasë pikën e furnizimit. Ndër të tjera ai tha se qeveria do të krijojë rezervën e vetë të karburantit, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vetë.