Dy administratorë lokalesh në Durrës janë gjobitur me 20 milion lek të vjetra pasi, janë konstatuar nga Policia teksa mbanin lokalet hapur pas orës policore. Referuar njoftimit zyrtar, një prej pronarëve është proceduar penalisht pasi nuk i ka hapur derën efektivëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin B. T., 30 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, kanë konstatuar të hapur pas orarit të përcaktuar për mbyllje, lokalin e shtetasit B. T., i cili pasi ka dëgjuar thirrjen e Policisë nuk pranuar të hapë derën duke kundërshtuar urdhrin e Policisë.
Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë është vendosur edhe masë administrative 1.000.000 lekë për shtetasin B. T., pasi nuk ka zbatuar orarin e përcaktuar për mbyllje.
Gjithashtu u ndëshkua me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i një subjekti në lagjen nr. 1, Durrës, shtetasi B. M., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke vijuar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.