Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo e Shqipërisë kanë rënë dakord për një marrëveshje që do të bëjë që qindra të burgosur shqiptarë të kthehen në vendin e tyre, në këmbim të mbështetjes së Londrës zyrtare për të ndihmuar në modernizimin e sistemit të burgjeve shqiptare.
Kështu thotë në një deklaratë zyrtare Qeveria britanike, por a është në të vërtetë kjo një marrëveshje për modernizimin e burgjeve apo një heqje e barrës për të burgosurit shqiptarë?!
Sipas marrëveshjes së re, 200 shtetas shqiptarë në burgjet në Angli dhe Uells që vuajnë dënimet prej 4 vjetësh ose më shumë do të kthehen për pjesën e mbetur të afatit të tyre në burgjet shqiptare. Aktualisht kushton afro 40,000 paund në vit për të strehuar çdo të burgosur në Angli dhe Uells.
Kostoja totale e marrëveshjes për Ministrinë e Drejtësisë në Angli pritet të jetë rreth 8 milionë paund për 2 vjet, e barabartë me 32 paund për të burgosur në ditë, krahasuar me 109 paund në ditë për t’i strehuar ata në burgjet në Anglisë dhe Uellsit. Financimi i Home Office prej rreth 4.4 milion paund do të mbështesë gjithashtu marrëveshjen.
Më 31 mars 2023, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ishin 1,393 shtetasve të huaj shqiptarë.
Marrëveshja bazohet në transferimin e të të burgosurve nënshkruar midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në vitin 2021, e cila hyri në fuqi në maj 2022.
“Nëpërmjet marrëveshjes, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ofrojë mbështetje për modernizimin dhe zgjerimin e sistemit të burgjeve shqiptare, për t’u siguruar që ata të kenë kapacitetin për të mbajtur këta të burgosur. Këto përmirësime do të përshpejtojnë gjithashtu transferimet e ardhshme”, thotë deklarata e Qeverisë britanike.