
Kosova ka vendosur masa të reja ndaj mallrave të importuara nga Maqedonia e Veriut (konkretitsht mjalti dhe patatja).
Vendimi u konfirmua nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, i cili u shpreh se nuk mund të lejohet trajtimi i pabarabartë i produkteve të eksportuara kosovare. Ky veprim vjen pas vendosjes së barriera tarifore nga pala maqedonase për produktet e importuara nga Kosova.
‘’Dhe tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit Kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë trajtim të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, tha ministri Shala.
Në vazhdim, ministri Shala u shpreh se këto masa do të aplikohen dhe për shtete të tjera.
‘’Në rast se ky trajtim do të vazhdojë, ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim Kosovar që eksportohet jashtë nuk do të ketë trajtim të pabarabartë”, përfundoi ministri i Tregtisë Endrit Shala.
Kujtojmë që për shkak të marrëdhënieve të rënduara diplomatike me Serbinë, Kosova ka caktuar taksën 100% ndaj mallrave serbe të importuara. Pavarësisht presionit nga BE, qeveria nuk është tërhequr pas nga vendimi i marrë.