Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përjashtuar nga Grupi Parlamentar i kësaj force politike 11 deputetë demokratë, të cilët janë mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Mësohet se deputetët të cilët janë përjashtuar nga kreu i PD-së janë: Ina Zhupa, Greta Bardeli, Sorina Koti, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Edi Paloka, Ludovik Hasanaj, Tomor Alizoti, Lindita Metaliaj, Kastriot Piroli.
Ky vendim për përjashtimin e deputetëve demokratë ka ardhur pas përplasjeve që Basha ka pasur me Gazment Bardhin, ku ky i fundit ka organizuar disa takime me deputetët e PD-së zyrtare si dhe me deputetët e Rithemelimit, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kujtojmë se në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 2 shtator, Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij ndryshuan statutin e Partisë Demokratike, ku kreu i PD mori edhe funksionin e Kryetarit të Grupit Parlamentar, të cilin e mban Gazment Bardhi. Ndërkohë, në seancën e kaluar parlamentare, kryetarja e Kuvendit njoftoi se PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha ka kërkuar që posti i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së t’ i kalojë deputetes Flutura Açka.