28 foshnja të lindura para kohe janë evakuuar nga Gaza në drejtim të Egjiptit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se foshnjat u dërguan gjatë ditës sot nga enklava e bombarduar në Gaza, në një spital egjiptian për ndihmë mjekësore.
Stafi mjekësor në Egjipt mori me kujdes foshnjat e vogla nga ambulanca dhe i vendosi në inkubatorë të levizshëm, të cilët më pas u zhvendosën në ambulanca të tjera.
“Foshnjat mbërritën në gjendje të tmerrshme nga Gaza”, thotë mjeku egjiptian.
“Foshnjat erdhën tek ne nga spitali Al Shifa. Bebet ishin në gjendje të tmerrshme kur arritën këtu”, tha Dr.Mohammad Salama, kreu i njesisë në spitalin Al Helal Al Emirati në Rafah.
Lexo edhe: Ministrat e vendeve arabe takohen nesër në Moskë, temë diskutimi lufta në Gaza
“Disa vuajnë nga kequshqyerja, të tjerë nga dehidratimi dhe disa të tjerë nga hipotermia”, tha ai për Reuters.
Salama tha se disa nga foshnjat ishin të shoqëruara nga nënat e tyre, ndërsa foshnjat e tjera nuk kishin asnjë të afërm, ishin të shoqëruara nga stafi mjekësor.
“28 foshnjat tani kanë mbërritur të sigurta në Egjipt. Tre foshnja mbeten në Spitalin ‘Emirates’, ku po vazhdojnë të marrin kujdes”, tha një zëdhënës i OBSH-së nëpërmjet një emaili për Reuters.
Kujtojmë se Izraeli ka nisur fushatën ushtarake për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal ka hyrë në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i ka vrarë mbi 1.200 njerëz, si dhe i kanë marrë mbi 240 pengje.
Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë thënë se mbi 11.000 palestinezë janë vrarë si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite.