Maqedonia e Veriut rrezikon të paguajë një dëmshpërblim të majmë për kompaninë austriake të lojërave të fatit “Austria Casino”, pasi ka prishur marrëveshjen në mënyrë të njëanshme.
Ligji i ri për Lojërat e Fatit dhe vendimi i Qeverisë për themelimin e Bordit drejtues të shoqërisë aksionare për rregullimin e lojërave të fatit i jep të drejtën ekskluzive Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë për të rregulluar dhe organizuar lojërat e fatit online.
Por ky ligj i ri bie ndesh më marrëveshjen që lotaria shtetërore ka pasur me “Austria Casino”.
Qeveria në qershor vendosi themelimin e bordit drejtues, ndërsa më 11 shtator Lotaria Shtetërore e Maqedonisë publikoi thirrjen rreth ofertave për lidhjen e marrëveshjeve për themelimin e tri shoqërive aksionare për rregullimin e lojërave të fatit (online).
Një ligj i ngjashëm u vendos dhe në Shqipëri, ndërsa dy vite më parë edhe qeveria shqiptare u detyrua të shfuqizonte ligjin për lojërat e fatit dhe dhjetëra kompani të basteve sportive, por jo vetëm, u detyruan të mbylleshin.
Me këto ndryshime ligjore në Maqedoninë e Veriut pretendohet kontrolli, rregullimi dhe zhvillimi i lojërave të fatit në mënyrë elektronike, për parandalimin e keqpërdorimit të tyre dhe qasjen e personave nën moshën 18 vjeçare.