Kontrolli i Lartë i Shtetit urdhëron hetim për gjyqtarin e Durrësit Petraq Curri i cili liroi disa ditë më parë nga burgu Alket Hatijan, i cilësuar si “baroni i drogës” dhe i kërkuar nga drejtësia italiane.
Nisja e Hetimit është kërkuar nga ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi.
KLD ka caktuar 2 inspektorë të cilët do shkojnë në Gjykatën e Durrësit për të kryer hetimet lidhur me dosjen e bujshme të Hatisë, i dënuar me 20 vite burg për trafik droge. Në përfundim të hetimit do të ketë edhe një raport për gjyqtarin Curri.
KUSH ËSHTË PETRAQ CURRI- LIRIMET E BUJSHME
Kërkesa për të mbajtur në qeli Alket Hatinë, nuk është pranuar nga gjyqtari Petraq Curri, i cili e ka cilësuar si të paligjshëm qëndrimin tij në qeli, raporton newsbomb.al.
Por ky vendim i gjyqtarit Petraq Curri, absurd për opinionin publik nuk është i vetmi, pasi gjyqtari në fjalë në të shkuarën e tij ka marrë disa vendime që kanë ngjallur debat të fortë për opinion publik. Gjyqtari Petraq Curri është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Durrësit më datë 05.04.2010 me anë të një dekreti të Presidentit të asaj kohe Bamir Topi.
Që nga ky vit, emri i tij është lakuar në shumë çështje të përfolura në vend. Gjyqtari Curri ka qenë pjesë e trupit gjykues në çështjen e inspektoriatin e Mjedisit për ish kreun e saj në Durrës Genci Balla, i akuzuar për korrupsion. Po ashtu gjyqtari Curri ka qenë pjesë e trupit gjykues në çështjen e vrasjes së Asllan Kurtishës në qytetin e Durrësit, shkruan newsbomb.al.
Një tjetër çështje shumë e diskutuar ku gjyqtari Curri ka qenë pjesë e trupit gjykues, është ajo e lirimit të drejtorit të burgut të Durrësit, që ishte akuzuar për shkelje të procedurave ligjore në procesin e lirimit të Lul Berishës, transmeton neësbomb.al. Por nuk mbaron me kaq, pasi gjyqtari Curri ishte ai që ndaloi vazhdimin e ndërtimeve për projektin e Velierës në shëtitoren e Durrësit, një projekt ky shumë i diskutuar.
Petraq Curri gjithashtu ka qenë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, raporton newsbomb.al, pasi dyshohet se ka ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona, i sponsorizuar nga një biznesmen.
Por më herët përpara se të bëhej gjyqtar, Petraq Curri kur ushtronte profesionin e avokatit, ka qenë i përmendur në çështjen shumë të famshme të kryebashkiakut të Himarës Vasil Bollano, ku Curri ka qenë avokati i tij mbrojtës.
Së fundmi emri i këtij gjyqtari është listuar si një nga 20 gjyqtarët që pritet të jenë subjekt i hetimit nga SPAK, njësia e re speciale që pritet të krijohet pas reformës në drejtësi. /newsbomb.al.