Policia shqiptare i ka dërguar homologëve në Malin e Zi shenjat e gishtave dhe gjurmët e tjera që janë gjetur në avionin e rrëzuar tre ditë më parë në Kelmend, pranë Vermoshit.
Deri tani, Policia përmes një deklarate zyrtare ka bërë me dije se në mjetin fluturues nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. Por, Policia arriti në vendngjarje me rreth 3 orë vonesë dhe sipas dëshmitarëve, sapo avioni u rrëzua pranë tij shkoi një fuoristradë e bardhë.
Një bari i zonës u shpreh se për rreth 45 minuta ata ngarkuan “diçka” nga avioni në makinë.
Tashmë, autoritetet malazeze kanë në dorë gjurmët e gishtave dhe shenja të tjera që mund të çojnë në identifikimin e personave që ndodheshin në bord. Avioni i modelit “piper” i paidentifikuar dhe me asnjë dokument në kabinë, dyshohet se ka ardhur nga Mali i Zi.
Po në këtë shtet dyshohet se janë larguar dhe personat që shkuan atje me makinë, bashkë me pilotin dhe pasagjerin e avionit. Sipas dëshmive makina e bardhë ishte pa targa. Ka dyshime se avioni i rrëzuar ka rënë nga mbingarkesa, por se me çfarë ishte ngarkuar është ende nuk dihet.