Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e sotme një takim me ministrat dhe me krerët e grupit parlamentar.
Takimi do të mbahet në vilën qeveritare në Vlorë, ku ministrat do të paraqesin projektet e realizuara gjatë një viti në prani të sekretarit të Përgjithshëm të PS-së Graoz Rui, dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Pas këtij takimi pritet të merret vendimi se kush do të largohet nga kabineti qeveritar dhe kush do të konfirmohet në detyrë.
Analiza e qeverisë për vitin e parë të punës së saj do të zhvillohet në Asamblenë Kombëtare Socialiste, e cila pritet të mblidhet ditët e para të shtatorit.
Kjo analizë do të përcaktojë dhe ministritë, ku duhet të ndërhyjë Kryeministri për të bërë ndryshimet e tij. Asambleja ishte parashikuar të zhvillohej në fund të korrikut, para pushimeve të verës.
Por në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, të zhvilluar më 16 korrik, kryetari i tij, Taulant Balla, njëkohësisht dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS, njoftoi deputetët se Asambleja Kombëtare, ku do të bëhet analiza e punës së qeverisë për vitin e parë të mandatit të dytë të saj, shtyhet për në shtator.